Me padurim nga dashamirët e futbollit priten ndeshjet e kthimit në tetën e finales së Champions League në futboll.
Dy ndeshje që zhvillohen të martën mbrëma, Arsenal-Porto dhe Fiorentina-Bayern, llogariten të jenë tejet interesante, duke e pasur parasysh rezultatet e ndeshjeve të para. Arsenali nuk do të ketë aspak lehtë në takimin e kthyes, pasi ka rezultat jo të mirë nga ndeshja e parë në Porto.
Djelmoshat e trajnerit Wenger ndeshjen e parë e humbën me rezultat 2:1 dhe tashmë i duhet punë në Londër që ta përmbysin këtë rezultat. Synimi i skuadrës së Arsenalit është që mos të pësojnë gol, por të shënojnë sa më parë. Porto sa herë ka luajtur në Londër gjithmonë ka pasur rezultate negative, por ata shkojnë në këtë ballafaqim të mbrohen dhe të ruajnë rezultatin e takimit të parë.
Edhe skuadra gjermane, Bayerni nuk ka udhëtim të lehtë për në Firencë, ku takohet me skuadrën mjaft të fortë italiane, Fiorentina. Ndeshjen e parë bavarezët e fituan në Mynih me shifra të ngushta 2:1 dhe atë në minutën e fundit të takimit. Ndeshja kthyese do të jetë e zorshme, por Bayerni ka besim se jo që do të ruajë epërsinë e ndeshjes së parë, por edhe do të arrijnë edhe të fitojnë në Firencë.
Fiorentina e mobilizuar si kurrë më parë, kërkon fitore dhe madje edhe me 1:0 që do të çonte në çerekfinale të Champions League. Dy ballafaqimet që fillojnë në orën 20.45, do të jenë sa të ankthshme për dashamirët e këtij sportit dhe për vetë skuadrat, aq më tepër interesante dhe joshëse për të gjithë ata që do të jenë në tribunat e stadiumit dhe pranë ekraneve televizive.
E martë
Fiorentina-Bayern (1:2)
Arsenal-Porto (1:2) /botasot









