KF Ballkani dhe kryetrajneri, Adil Vokrri, kanë vazhduar bashkëpunimin së paku edhe për një vit.
Kështu kanë bërë të ditur si drejtuesit therandas ashtu edhe timonieri Vokrri, i cili me të portokalltit, këtë vit u inkuadruar në elitën e futbollit të Kosovës.
“Me të përfunduar kampionati, ne kemi bërë një analizë të punës njëvjeçare dhe jemi përcaktuar që shtabit teknik t’i prij edhe për edicionin e ri, trajneri ynë, Adil Vokrri”, tha Besim Kuçi, drejtor i Ballkanit. Kuçi më pas shtoi se ndihen shumë të kënaqur me vazhdimin e bashkëpunimit me trajnerin llapjan.
“Puna që ka bërë Vokrri në skuadrën tonë na bënë të lumtur që ai edhe më tej ka pranuar të qëndroj me ne”, tha Kuçi. Edhe Vokrri sikurse, Kuçi u vërejtën të jenë të disponuar pas kësaj marrëveshje.
“Me iu thanë të drejtën unë në Therandë isha edhe në edicionin e kaluar dhe më ka shkuar shumë mirë puna, kjo ka bërë që unë sërish të jem në drejtim të Ballkanit”, tha Vokrri. Timonieri therandas më pas paralajmëron skuadrat tjera se nuk do ta kenë të lehtë kundër ekipit të cilën e udhëheq ai.
“Vetë fakti që ne menjëherë pas përfundimit të edicionit nuk humbëm kohë por arritëm marrëveshjen dhe në një formë kemi filluar përgatitjet për edicionin e ri, dëshmon se jemi serioz dhe nuk do ta kenë lehtë asnjë skuadër me ne, edhe pse jemi debutues”, tha trajneri therandas.
Vokrri, i cili përkundër që e vlerëson të suksesshëm ekipin që drejtoi në vitin e tij të parë në Therandë, paralajmëron disa përforcime në skuadrën therandase.
“Superliga është kategori më e fortë se liga në të cilën garuam vitin e kaluar, për këtë do të përforcojmë radhët tona me katër apo pesë futbollistë cilësor”, theksoi Vokrri.
Edhe pse Vokrri nuk deshi të përmend emra, nga burime tona mësuam se drejtuesit therandas janë në bisedime me disa futbollistë kryesisht të KF Liria, si Rafet Mullallari, Fatih Karahoda, si dhe e kanë rinovuar kontratën me portierin Bujar Thaçi, i cili ishte i suspenduar në dy javët e fundit të garave. Njëra nga arsyet që Vokrri ka pranuar të jetë edhe më tej në skuadër, thotë të jetë autonomia e plotë në punën e tij.
“Asnjëherë nuk më janë përzier në kompetencat e mia, që ndodhë rëndomë në disa skuadra tjera” u shpreh Vokrri.
Edhe drejtori Kuçi e pohon një gjë të tillë dhe premton që së shpejti do të fillon rinovimi i stadiumit të qytetit.
“Së shpejti do nisin punimet për rinovimin e stadiumit të vjetër, ndërkaq vitin tjetër presim që në një lokacion tjetër të ndërtojmë një stadium modern”, përfundoi ai.









