Skuadra më e trofeshme në futbollin e Kosovës, Prishtina, vazhdon përgatitjet me intensitet të shtuar herë në stadiumin e qytetit dhe herë në ambientet e hapura të Gërmisë.
Burimet brenda klubit prishtinas thonë se të hënën janë bojkotuar stërvitjet nga futbollistët për shkak të disa pagave borxh, por këto janë hedhur poshtë nga kryetrajneri Ramiz Krasniqi.
“Nuk është e vërtetë se ka pasur bojkot të stërvitjeve, por këto janë thashetheme të njerëzve që nuk ia duan të mirën klubit. Prishtina vazhdon përgatitjet sipas programit të paraparë. Nuk ka pasur bojkot, por kemi anuluar stërvitjet në marrëveshje me kryesinë dhe Shtabin Teknik. Në klub nuk ka asgjë të keqe, punët shkojnë mirë, atmosfera është e shkëlqyeshme. Përgatitem në stadiumin e qytetit, por shfrytëzojmë edhe kushtet e mira në ambientet e Gërmisë. Të gjithë punojnë me përkushtim dhe me synim për ngritje të nivelit të lojës”, tha Krasniqi.
Prishtina ka mbetur pa disa futbollistë të përbërjes së parë, tre prej tyre janë në prova në klubet e ndryshme evropiane.
“Behar Maliqi është duke u provuar në një klub gjerman, Astrit Fazliu në Bunkeflo të ligës së tretë të Suedisë, Argjend Mustafa në Kroaci, ndërsa për portierin Feim Statovci nuk jemi në dijeni ku është, sepse nuk është lajmëruar. Prishtina është përforcuar me futbollistët Mentor Mazrekajn e Liridon Beqirin e Fushë Kosovës dhe me Shemsi Osmanin e Flamurtarit. Prishtina nuk është e dobësuar përkundrazi ka një skuadër mjaft cilësore. Kemi një kuadër të mirë të futbollistëve, që besoj se do të bëjmë lojë kompakte për edicionin e ri”, tha Krasniqi.
Prishtina deri në fillim të kampionatit ka paraparë t’i zhvillojë edhe disa ndeshje miqësore.
“Deri në fillim të kampionatit kemi planifikuar edhe 5-6 ndeshje kontrolluese. Këto ndeshje do të jenë test i mirë për të gjetur përbërjen më të mirë të mundshme për edicionin e ri. Rast do të kanë edhe disa futbollistë të rinj që të dëshmohen në ndeshjet kontrolluese. Shpresoj se Prishtina do të përgatitet sa më mirë deri në fillim të garave”, theksoi Krasniqi.
Bardhë e kaltrit synim kanë si gjithmonë të luftojnë për të gjitha trofetë, Kupën e Kosovës dhe titullin e kampionit. /botasot









